Prej disa javësh shume bashki në qarkun e Elbasanit kanë ndezur lokomotivat e tyre për buxhetimin me pjesëmarrje. Nje detryim ligjor, ku supozohet që kryetarët e bashkisë të mbledhin mendime nga qytetarët e thjeshtë për të investuar aty ku ata kërkojnë dhe qe ti dëgjohet zëri.
Sic shkruan Margilen Disha, se ‘‘së bashku me Olsi Komici, dëgjuam nga afër nevojat dhe prioritetet e komunitetit’’ ai ka mbledhur në palestrën e gjimnazit të gjithë përveçse qytetarëve hallexhinj.
Mariglen Disha, së bashku me deputetin Olsi Komici, mbajnë takime me qytetarët, por realisht bisedat zhvillohen vetëm me punonjësit e bashkisë.
Në takim ishin vetëm qytetarë të privilegjuar dhe ekspertë, ndërsa kryebashkiaku foli duke lexuar letra pa u dëgjuar zëri i qytetarëve të zakonshëm, që shprehen të zhgënjyer dhe e shohin këtë si një farsë ku nuk dëgjohet aspak kritika. Në fotot që JOQ analizoi duken anëtarë këshilli bashkiak nga PS, punonjës spitali nën juridiksionin e bashkisë, specialistë të bashkisë dhe shefa të zyrave të ndryshme.


Edhe pse bashkia kishte njoftuar për hapje vendeve të punës, në fakt asnjë punonjës nuk është larguar ose zëvendësuar, vetëm janë ndryshuar pozicionet. Postimet e bashkisë në rrjetet sociale për hapjen e vendeve të punës bëjnë bujë, por sipas Librazhdi News, asnjë punonjës nuk është larguar ose zëvendësuar; thjesht janë ndryshuar pozicionet.
Deklarata e kryebashkiakut se gjatë dy viteve të fundit “cilësia e jetës është rritur” ka shkaktuar reagime të ashpër. Gazetari Osman Stafa e cilëson këtë thjesht si mendjelehtësi dhe thotë se realiteti është i ndryshëm: emigracioni i të rinjve, familjet që presin ndihma ekonomike, pensionistët që mezi mbulojnë shpenzimet për shërbime shëndetësore dhe fshatrat ku janë vetëm prindër e gjyshër. Ai shton se kjo është vetëm propagandë dhe se duhet të respektojnë sakrificat e familjeve që shpesh jetojnë vetëm me ndihma, sidomos ata që jetojnë në emigrim.
Po ashtu, Bashkia Librazhd po planifikon të shpenzojë gati 300 milionë lekë për ndërtimin e një “parku aventuresk me observator astronomik,” ndërsa tenderi është dhënë pa konkurrencë dhe me vetëm dy oferta, kryesisht me qëllim për të justifikuar shpenzime të mëdha në projekte me përfitime modeste për komunitetin. Kritikat theksojnë se në një qytet ku mungojnë ndriçimi, kanalizimet dhe infrastrukturat bazike, vetëm duhen menduar më mirë paratë publike, dhe shpenzimet për një teleskop duket si një luks i panevojshëm në një qytet që po përballet me probleme të mëdha sociale dhe të përditshme.
Nëse Librazhdi s’ka ujë, rrugë e punë, tashmë të paktën do ketë një teleskop — për të parë më qartë si humbin paratë e qytetarëve në qiellin e tenderave publikë.