Tensione të forta kanë përfshirë Beogradin mbrëmjen e kësaj të diele, një ditë pas një proteste masive në qytetin verior të Novi Sad, ku qindra mijëra persona u mblodhën për të përkujtuar një vit nga tragjedia e stacionit hekurudhor që mori jetën e 16 personave.
Ngjarja ka ndezur një valë të re revoltash kundër regjimit të Aleksandër Vuçiç, i cili prej 13 vitesh mban pushtetin me dorë të hekurt.
Mijëra protestues u mblodhën përpara Parlamentit serb në mbështetje të Dijana Hrka, nënës së Stefan Hrka, një prej viktimave të tragjedisë. Ajo njoftoi nisjen e një greve urie pranë kampit të ngritur nga mbështetësit e Vuçiçit, që qëndron aty prej muajit mars.
Pamjet nga protesta tregojnë tensione të larta, përplasje me policinë, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç.
Ndërkohë, protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Novi Sad dhe në disa qytete të tjera të Serbisë, ku qytetarët kërkuan përgjegjësi, drejtësi dhe dorëheqjen e presidentit Vuçiç.
Sipas organizatorëve, shkaku i tragjedisë së stacionit hekurudhor ishte korrupsioni dhe nepotizmi gjatë punimeve të rikonstruksionit, që sollën shkelje të rënda të rregullave të sigurisë dhe rrjedhimisht shembjen e strukturës së betonit mbi udhëtarët.
Dijana Hrka kërkon që të gjithë zyrtarët përgjegjës të dalin para drejtësisë, që protestuesit e arrestuar të lirohen dhe që Vuçiç të shpallë zgjedhje të parakohshme, siç kërkon lëvizja e studentëve që drejton protestat.
Prej marsit, mbështetësit e Vuçiçit kanë ngritur një kamp pranë zyrës së tij, të njohur si “Caciland”, që shërben si një mburojë njerëzore për presidentin. Zona është e rrethuar nga policia dhe e ndaluar për qytetarët e zakonshëm, ndërsa një incident me armë muajin e kaluar ka shtuar frikën e përshkallëzimit të dhunës.
Autoritetet kanë ndërhyrë me dhunë në protestat e muajve të fundit, me qindra të ndaluar, ndërsa mediat proqeveritare kanë etiketuar studentët si “terroristë”, duke i akuzuar për nxitje të trazirave.