Një person ka ndërruar jetë pas një sulmi me armë zjarri në fshatin Fushticë të Drenasit.
Sipas raportimeve nga Policia e Kosovës, rreth orës 13:30, njësitet policore janë njoftuar për një rast të një mashkulli të plagosur me armë zjarri. I njëjti është dërguar menjëherë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran, ku stafi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, po punojnë intensivisht për hetimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Policia ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke kërkuar çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e personit përgjegjës. Hetimet janë në vazhdim.