Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmjen e së shtunës fshatin Gjorm të Selenicës, ku një person u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën.
Viktima është identifikuar si 36-vjeçari Dalan Alliaj, me banim në Levan të Fierit. Sipas informacioneve, ai kishte shkuar për vizitë tek xhaxhai i tij, babai i Bertil Alliaj, një nga personat e përfshirë në masakrën e Çoles në vitin 2015.
Mësohet se ndërsa ndodhej pranë derës së banesës së xhaxhait, një person iu afrua dhe e qëlloi me armë, për t’u larguar menjëherë më pas nga vendngjarja.
Familjarët e gjetën 36-vjeçarin të plagosur rëndë dhe e transportuan me urgjencë drejt spitalit të Vlorës, por ai mbërriti i pajetë. Pamje të siguruara nga JOQ Albania tregojnë momentin kur trupi i pajetë i viktimës mbërrin në spital.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa po shqyrtohen disa pista, përfshirë edhe atë të hakmarrjes, për shkak të lidhjeve familjare të viktimës me personazhe të përfshirë në ngjarje të rënda të së kaluarës.
Dalan Alliaj rezulton pronar i një pike tregtimi të pjesëve të këmbimit për automjete në zonën e Levan Allidagut.
Ngjarja mbetet e pazbardhur, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorit të dyshuar dhe motivet e mundshme të krimit.