Një grua është akuzuar për vjedhjen e bizhuterive të çmuara që ndodhi muajin e kaluar në Muzeun e Luvrit në Paris. Mediat franceze kanë raportuar se 38-vjeçarja, e cila nuk është identifikuar me emër, është akuzuar për bashkëpunim në një vjedhje të organizuar dhe për pjesëmarrje në komplot kriminal. Ajo u paraqit para një gjykatësi hetues, i cili vendosi që ajo të mbahej në paraburgim.
Gruaja u arrestua së bashku me katër persona të tjerë në fillim të kësaj jave. Dy burra, të cilët ishin arrestuar më herët, janë tashmë të akuzuar për vjedhje dhe komplot kriminal, pasi autoritetet thonë se ata e kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre në grabitje. Bizhuteritë, me vlerë 88 milionë euro (rreth 76 milionë paund ose 102 milionë dollarë), u vodhën më 19 tetor nga muzeu më i vizituar në botë.
Vjedhja u realizua nga katër burra, e kryer me shpejtësi gjatë ditës. Dy prej tyre që janë arrestuar më parë pranuan përfshirjen e tyre në krim, ndërsa një i katërti ende është në arrati. Gjatë paraqitjes së saj para gjykatësit, gruaja shpërtheu në lot. Ajo ishte një nga pesë personat që u arrestuan më herët gjatë javës në dhe rreth kryeqytetit francez. Njëri prej tyre u lirua pa akuza, ndërsa besohet se një tjetër ka marrë pjesë drejtpërdrejt në grabitje.
Sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau, grabitësit mbërritën në Luvër në orën 09:30 (07:30 GMT), menjëherë pasi muzeu hapi dyert për vizitorët. Ata kishin përdorur një vinç mekanik të montuar mbi një automjet të vjedhur për tu ngjitur në Galerinë e Apolonit (Galerie d’Apollon) përmes një ballkoni pranë lumit Seinë. Pasi kishin çarë vitrinat me një sharrë rrotulluese, grabitësit qëndruan brenda vetëm katër minuta dhe u larguan me dy skuterë që i prisnin jashtë muzeut. Ata më pas ndërruan mjetet e arratisjes duke marrë makina.
Bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë gjetur. Pas incidentit, autoritetet kanë forcuar masat e sigurisë në të gjitha institucionet kulturore të Francës. Muzeu i Luvrit ka transferuar disa nga bizhuteritë më të çmuara në Bankën e Francës për t’i siguruar ato pas grabitjes.