Faruk Fatih Ozer, themeluesi i platformës së falimentuar të kriptomonedhave “Thodex”, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut, në perëndim të Turqisë. Lajmi është konfirmuar nga televizioni shtetëror TRT, i cili njofton se autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e vdekjes. Dyshohet se Ozer mund të ketë kryer vetëvrasje.
Faruk Fatih Ozer u arrestua më 30 gusht 2022 në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke. Ai u ekstradua në prill të vitit 2023 dhe më pas u dënua me 11.196 vite burg për pastrim parash, mashtrim dhe krijim të një organizate kriminale. Prokuroria kishte kërkuar për të një dënim rekord prej 40.562 vjetësh burg.
I lindur në vitin 1994, Ozer themeloi “Thodex” në vitin 2017, platformë që në kulmin e saj tërhoqi mijëra investitorë turq. Në prill 2021, ajo u mbyll papritur, duke shkaktuar një prej skandaleve më të mëdha financiare në historinë e Turqisë. Akuzohej për mashtrimin e 391 mijë qytetarëve dhe për një dëm ekonomik që arrinte mbi 2 miliardë dollarë.