Një qytetare nga Shkodra ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania një tjetër rast skandaloz ku protagonist është Policia e Shtetit. Në pamjet e siguruara duket qartë momenti kur një efektiv policie i afrohet një automjeti të parkuar dhe e fotografon për ta gjobitur, ndërkohë që rreth tij ndodhen edhe makina të tjera në të njëjtin pozicion, të cilat nuk preken aspak.
Ky episod hedh dritë mbi një praktikë tashmë të përsëritur: vendosjen selektive të gjobave dhe abuzimin me detyrën, vetëm për të përmbushur “kuotat” e ndëshkimeve të kërkuara nga eprorët. Kjo sjellje jo vetëm që cenon imazhin e Policisë, por edhe dëmton rëndë besimin e qytetarëve te institucioni që duhet të jetë simbol i drejtësisë dhe rendit publik.
Nuk është hera e parë që qytetarët ngrenë zërin për shpërdorim të autoritetit nga uniformat blu. Nga abuzime në trafik, deri te gjoba të padrejta, Policia e Shtetit duket se po humbet çdo ditë e më shumë respektin dhe autoritetin për të cilin është krijuar.
Policia e Shtetit duhet të jetë shembulli i ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit, jo një instrument frikësimi apo mjeti për të mbushur statistika. Me veprime të tilla, autoriteti i saj po bie në tokë, duke lënë pas vetëm zemërim dhe mosbesim te qytetarët që ajo duhet të mbrojë.