Rritet çmimi i druve të zjarrit në Korçë, familjet në vështirësi për përballimin e dimrit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 01.11.2025, 08:32

Çmimi i druve të zjarrit në qarkun e Korçës ka shënuar sërish rritje këtë vit, duke arritur deri në 55 mijë lekë të vjetra për metër kub. Kjo situatë ka rënduar ndjeshëm buxhetet familjare, pasi për shumë banorë ngrohja me dru mbetet e vetmja mënyrë për t’u përballur me dimrin e ftohtë të zonës.

Shumë familje pohojnë se e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë sasinë e nevojshme për ngrohje, ndërsa disa kanë blerë vetëm një pjesë të druve për shkak të kostove të larta. Më të prekurit nga kjo situatë janë pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, të cilët thonë se pensionet apo pagat nuk mjaftojnë as për ushqimet bazë, e jo më për ngrohje.

Alternativat e tjera, si përdorimi i energjisë elektrike, shihen po ashtu si të papërballueshme për shkak të faturave të larta. Për pasojë, shumë banorë shprehen se rrezikojnë të përballen me dimrin pa ngrohje të mjaftueshme.

Nga ana tjetër, tregtarët e druve pohojnë se rritja e çmimit është e pashmangshme dhe lidhet me faktorë të ndryshëm, ndër të cilët kryesori është kostoja e transportit. Një pjesë e konsiderueshme e lëndës drusore vjen nga qarqe të tjera, çka ka shtuar ndjeshëm shpenzimet për karburant dhe transport, duke reflektuar kështu një çmim më të lartë për konsumatorët fundorë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit