Peshëngritësja e talentuar e klubit “Teuta”, Enkileda Carja, ka shkëlqyer në Kampionatin Europian për të Rinj dhe U23, që po zhvillohet në Durrës, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës në kategorinë “Youth” (63 kg).
Sipas njoftimit zyrtar të klubit durrsak, Carja ka dhuruar një paraqitje spektakolare, duke thyer tre rekorde europiane dhe madje një rekord bote në stilin e shkëputjes për kategorinë e saj.
Rezultatet e Enkileda Carjës: Shkëputje: 98 kg Shtytje: 118 kg Dygarësh: 216 kg
Peshëngritësja durrsake i realizoi me sukses të gjashta provat, duke treguar fuqi, teknikë dhe vetëbesim të jashtëzakonshëm. Kjo performancë e ka vendosur atë në majën e sportit europian të peshëngritjes, ndërsa është edhe një dëshmi e punës së përkushtuar që ajo dhe trajnerja e saj, Eglantina Kalemi, kanë zhvilluar me vite.
Me këtë rezultat, Carja ka përmirësuar edhe arritjen e saj të mëparshme në Botërorin e zhvilluar në Peru, ku kishte ngritur gjithsej 213 kg.
Ky sukses e bën Enkiledën një nga sportistet më premtuese të peshëngritjes shqiptare, duke i dhuruar jo vetëm klubit “Teuta”, por edhe gjithë sportit shqiptar, një tjetër faqe të artë në historinë e tij.