Rekord historik: “Sagrada Familia” shpallet katedralja më e lartë në botë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 31.10.2025, 19:00

Një moment historik për arkitekturën botërore u shënua këtë të enjte në Barcelonë, ku “Sagrada Familia” u bë katedralja më e lartë në botë, pasi tejkaloi për herë të parë katedralen gotike “Ulm Münster” në Gjermani.

Sipas njoftimeve zyrtare, me 162.91 metra lartësi, bazilika ikonike e projektuar nga Antoni Gaudí e kalon me 1.38 metra rekordin që mbante katedralja gjermane prej vitit 1890. Momenti vendimtar u shënua mëngjesin e së enjtes, kur u vendos pjesa e parë e Kullës së Jezu Krishtit në majën e navës qendrore, një etapë kyçe në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Kur të përfundojë plotësisht në muajt e ardhshëm, kulla qendrore do të arrijë në 172 metra, duke i dhënë “Sagrada Familia”-s një siluetë edhe më madhështore në horizontin e Barcelonës.

Në vitin 2024, rreth 4.9 milion vizitorë paguan për të hyrë në bazilikë, me 15% të tyre që vinin nga Shtetet e Bashkuara. Ky fluks i qëndrueshëm turistësh ka luajtur rol vendimtar në financimin e punimeve, që vijojnë ekskluzivisht me të ardhurat nga biletat dhe donacionet.

E nisur në vitin 1882, ndërtimi i “Sagrada Familia”-s është simbol i përkushtimit të Gaudit ndaj artit të shenjtë, duke ndërthurur simbolikën katolike me forma organike që imitojnë natyrën. Viti 2026 do të shënojë 100-vjetorin e vdekjes së Antoni Gaudit, dhe autoritetet kanë paralajmëruar një seri aktivitetesh përkujtimore që do të kremtojnë trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme.

Veprat e Gaudit – nga “Casa Batlló” dhe “La Pedrera”, deri te parku “Güell”, e kanë bërë atë një ikonë të arkitekturës moderne dhe kanë transformuar përgjithmonë identitetin urban të Barcelonës.

Me shpalljen zyrtare si katedralja më e lartë në botë, “Sagrada Familia” nuk është më vetëm një vepër fetare, por një dëshmi e gjallë e gjenialitetit njerëzor, një monument që vazhdon të rritet drejt qiellit, ashtu siç e kishte ëndërruar mjeshtri katalanas më shumë se një shekull më parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit