Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) njoftuan të premten arrestimin e komandantit të ushtrisë sudaneze (SAF), Al-Fateh Abdullah Idris, i njohur me nofkën “Abu Lulu” dhe nga mediat ndërkombëtare si “Kasapi i shekullit”. Ai akuzohet për krime lufte dhe vrasjen e mbi 2,000 personave gjatë përleshjeve të përgjakshme në Darfur dhe El Fasher.
Sipas pamjeve të shpërndara në rrjetin social ‘X’, Abu Lulu shihet teksa arrestohet nga trupat e RSF-së dhe dërgohet në një burg në Darfurin e Veriut. Forcat e Mbështetjes së Shpejtë deklaruan se ai do të përballet me akuza për “krime të kryera gjatë çlirimit të El-Fasher”.
Abu Lulu ishte bërë i njohur në rrjetet sociale për videot e tij makabre ku shihej duke ekzekutuar civilë dhe të burgosur lufte. Në disa prej tyre, ai mburrej se kishte “vrarë më shumë se 2,000 njerëz” dhe shfaqej me emblemën e ushtrisë sudaneze, duke e konsideruar veten “të pamëshirshëm ndaj armiqve”.
Një nga incidentet më të rënda të dokumentuara ndodhi në gusht, kur, sipas Sudans Post, Abu Lulu qëlloi për vdekje një burrë që refuzoi t’i zbulonte vendndodhjen e një komandanti armik. Ai dëgjohet duke thënë:
“Betohem në Zot se nuk flas shumë dhe nuk kursej askënd. Që kur Zoti krijoi Forcat e Reagimit të Shpejtë, nuk kam kursyer kurrë askënd – as një të burgosur, askënd.”
Ky arrestim vjen mes përpjekjeve për të ndalur gjakderdhjen që prej më shumë se një viti ka tronditur Sudanin, ku përplasjet midis ushtrisë dhe RSF-së kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe kanë zhvendosur miliona civilë.
Megjithatë, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kërkojnë që Abu Lulu të mos trajtohet si një peng politik, por të përballet me një proces të rregullt ligjor ndërkombëtar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.