Ishte 4 shtatori i vitit 2004, një mbrëmje që mbetet e paharrueshme për futbollin shqiptar. Në “Qemal Stafa” zbarkonte kampionia në fuqi e Europës, Greqia, vetëm pak muaj pas triumfit historik në Euro 2004 ndaj Portugalisë. Për “helenët”, ajo ishte ndeshja e parë zyrtare në rrugëtimin drejt Botërorit 2006; për Shqipërinë, ishte një sfidë për histori.
Në tribunën VIP të stadiumit ndodhej edhe kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, i cili e ndoqi me emocion ndeshjen që do të kthehej në një nga fitoret më të bukura të kuqezinjve. Me golat e Edvin Muratit dhe Adrian Aliajt, Shqipëria mposhti 2-1 kampionët e Europës, duke ndezur festën në gjithë vendin.
Pas përfundimit të takimit, Nano nuk u kufizua vetëm te duartrokitjet. Ai akordoi një premio rekord prej 500 mijë dollarësh për lojtarët e Kombëtares, shpërblimi më i madh që ishte dhënë ndonjëherë në historinë e futbollit shqiptar deri në atë kohë. Një gjest që e forcoi reputacionin e tij si një mik i sportit dhe njeri që mbante fjalën e dhënë.
Sot, Shqipëria i jep lamtumirën Fatos Nanos, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Themeluesi dhe kryetari i parë i Partisë Socialiste, përveç kontributit në politikë, do të kujtohet edhe për mbështetjen që i dha sportit, në një kohë kur fitoret kombëtare ishin më shumë se thjesht ndeshje, ishin çaste krenarie kombëtare.