Policia e Kukësit ka vënë në pranga 23-vjeçarin Veli Cenaj, administrator i Njësisë Administrative në lagjen “Gostil”, pjesë e Bashkisë Kukës, pasi ai ka kërcënuar me jetë një punonjës të Policisë Rrugore gjatë ushtrimit të detyrës.
Kanosja ka ndodhur pas një aksidenti ku Jurgen Cenaj, 23 vjeç, i afërm i administratorit dhe aktualisht i shpallur në kërkim, ka përplasur me makinë efektivin e policisë rrugore, Ermir Metaliaj.
Sipas burimeve zyrtare, ndonëse fajin për aksidentin e mbante kushëriri i tij, Veli Cenaj ka reaguar me dhunë verbale, duke kërcënuar se “do të merrej personalisht” me policin e plagosur. Pas ngjarjes, ai është arrestuar nga uniformat blu, ndërsa Jurgen Cenaj është ende në kërkim.
Efektivi Ermir Metaliaj ndodhet në spitalin e Kukësit, jashtë rrezikut për jetën. Autori i aksidentit është larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërsa në vend ka mbetur administratori bashkiak, i cili ka kërcënuar policin e plagosur.