Politika e Fatos Nanos! Kryeministër i tre epokave, arkitekt i Partisë Socialiste

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 31.10.2025, 15:32

Sot është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare Fatos Nano, një nga figurat më të rëndësishme dhe më polemike të politikës shqiptare pas viteve ’90. Ai ka lënë pas bashkëshorten e tij, Xhoana Nano dhe dy fëmijët, Sokolin dhe Edlirën.Themelues dhe lider historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Nano ka lënë një gjurmë të thellë në jetën publike të vendit, duke qenë një nga arkitektët e tranzicionit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Nano shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë, në periudha të ndryshme dhe me sfida të mëdha për vendin. Ai drejtoi qeverinë e parë të tranzicionit në vitin 1991, riktheu socialistët në pushtet në vitin 1997 pas krizës së piramidave dhe mbajti mandatin e fundit qeverisës deri në vitin 2005. Për 13 vjet ai qëndroi në krye të Partisë Socialiste, duke e transformuar atë nga pasardhëse e Partisë së Punës në një forcë moderne europiane të qendrës së majtë.

Jeta e tij politike nuk ka qenë e qetë. Pas humbjes së pushtetit në vitin 1992, Nano u burgos me akuza për korrupsion, çështje që u konsiderua nga shumë socialistë si politike. U rikthye në skenën politike pas amnistisë së vitit 1997 dhe udhëhoqi vendin në një nga periudhat më të trazuara të historisë së re shqiptare. Edhe pse shpeshherë i kontestuar, ai mbeti një nga figurat më karizmatike dhe më të debatuara të politikës shqiptare.

Përveç veprimtarisë politike, Fatos Nano ishte edhe akademik dhe studiues i ekonomisë. Ai mbante titujt “Doktor i Shkencave” dhe “Profesor Doktor”, si dhe ishte nderuar me disa tituj “Honoris Causa” nga universitete të njohura italiane. Pas tërheqjes nga politika në vitin 2009, Nano mbeti një zë reflektues mbi zhvillimet politike të vendit, ndërsa sot, ndarja e tij nga jeta shënon fundin e një epoke të rëndësishme për historinë politike të Shqipërisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit