Një situatë absurde është raportuar sot nga gjimnazistët e shkollës “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, të cilët pretendojnë se janë mbajtur me zor në ambientet e shkollës edhe pasi ka përfunduar orari mësimor. Arsyeja, sipas tyre, është vonesa e ministres së Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, e cila pritej të zhvillonte një vizitë inspektuese në institucion.
Denoncimi i nxënësit 1
Mjaft më me padrejtësi! Sot në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” po na mbajnë me zor, edhe pasi mësimi ka mbaruar, vetëm sepse “zonja ministre” po vonohet për të ardhur në kontroll. Është turp që një shkollë e bërë me taksat tona kthehet në vend ku nxënësit trajtohen si pengje të sistemit. Ne s’jemi lodra për t’u mbajtur derisa t’i kujtohet ministres të vijë. Kjo është mungesë respekti dhe abuzim me kohën tonë.
Denoncimi i nxënësit 2
Ora 14:24 jemi direkt nga shkolla Kostandin Kristoforidhi, Elbasan, dhe jashtë orës mësimore po na mbajnë me zor sepse ministres i është vonuar urbani? Kjo është kundër të drejtave tona. Ne vijmë në shkollë për mësim dhe jo për të ardhur zonjën ministre e cila abuzon me ne.
Denoncimi i nxënësit 3
Përshëndetje, në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan po na i mbajnë kalamajtë peng se do vijë ministrja e Arsimit, por ajo deri tani s’duket gjëkundi. Ju lutemi interesohuni çfarë ka bërë vaki. Mirë që jemi me merak për fëmijët tanë, por po na bën merak dhe kjo ministrja, mos ka ngrënë ndonjë ushqim të helmuar që ta zërë haku i fëmijëve tanë.
Askush nuk ka të drejtë të mbajë fëmijët me forcë në shkollë për arsye protokollare apo për të bërë “show” para një vizite zyrtare. Ky rast ngre edhe një herë shqetësimin për mënyrën se si trajtohen nxënësit në institucione arsimore kur zhvillohen inspektime apo vizita politike. Fëmijët nuk duhet të përdoren si mjet për propagandë, ndërkohë që arsimi duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.