Një qytetar nga Elbasani ka denoncuar pranë redaksisë sonë situatën e krijuar prej vitesh në rrugën “Sul Misiri”, vetëm 300 metra larg qendrës së qytetit. Sipas tij, trotuaret janë të zaptuar nga shitësit ambulantë, duke detyruar këmbësorët dhe prindërit me karroca fëmijësh të kalojnë në rrugën e makinave. Përveç rrezikut që paraqet kjo situatë, qytetari shprehet se tezgat dhe mbeturinat mbeten në vend edhe pas orarit të tregtimit, duke e kthyer zonën në një mjedis të ndotur dhe të pasigurt.
Denoncuesi thotë se prej më shumë se 20 vitesh ky problem është bërë shqetësim i vazhdueshëm për banorët, ndërsa institucionet nuk kanë marrë asnjë masë konkrete. Ai tregon se ka bërë ankesa të shumta në Bashkinë e Elbasanit dhe në platformën “Hapësira Ime Publike”, por pa rezultat. “Është për të ardhur keq që askush nuk reagon. Shpresoj që dikush të marrë përgjegjësinë për ta zgjidhur këtë situatë absurde”, përfundon qytetari në mesazhin e tij
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje JOQ! Po ju kontaktoj për të denoncuar një rast, që po e shoh të pamundur për ta zgjidhur. Unë jam banor i rrugës Sul Misiri, Elbasan. Përgjatë kësaj rruge, e cila ndodhet vetëm 300 metra larg portës së kalasë (qendra e qytetit), janë vendosur shitësit ambulantë. Këta shitës kanë zaptuar trotuaret. Detyrohemi të kalojmë me karrocën e fëmijëve në rrugë makinash. Pasi ata mbyllin ditën, tezgat qëndrojnë po në trotuare dhe ka mbeturina kudo. Për të mos u mjaftuar, na lindin debate për parkimin e makinave përbri trotuarit, me pretendimin që njerëzit nuk kanë ku kalojnë për të psonisur. Është absurde! Kjo situatë ka 20 vjet që është krijuar. Ka një numër të madh denoncimesh në Bashkinë e Elbasanit. Unë personalisht kam denoncuar rastin në web-in “Hapësira Ime Publike”. Është për të ardhur keq sesi nuk ka një reagim nga institucionet përkatëse. Ju lutem, publikojeni! Mbase kemi ndonjë titullar të përgjegjshëm për të zbatuar detyrën drejtësisht!