Gjykata Kushtetuese, me vendim unanim, ka rrëzuar kërkesën e Presidencës për të mos qenë palë në çështjen e ankimit të bërë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Sipas trupës gjykuese, dekreti për zgjedhjet nuk përjashtohet nga shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese, por do të trajtohet në themel të çështjes dhe do të vlerësohet në përfundim të procesit si çdo element tjetër i padisë.
Ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm në sqarimin e kompetencave institucionale dhe në ecurinë e procesit gjyqësor që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Gjatë seancës publike, Erion Veliaj mbajti një qëndrim të fortë në mbrojtje të mandatit dhe betimit të tij si kryetar bashkie.
Ai theksoi se përdorimi i ligjit për të vënë në dyshim demokracinë përbën tradhti morale dhe se rreziku më i madh për Republikën vjen nga brenda, jo nga jashtë. Veliaj shtoi se ndjehet i fyer nga pretendimet se nuk ka qenë në detyrë dhe se do të mbrojë deri në fund besimin e qytetarëve që e kanë votuar.
"Nëse ligji do të përdoret për të vënë në pikëpyetje demokracinë apo jo. Kur pushteti që buron nga vota devijohet, kjo kthehet në tradhti morale. Dhe atëherë, sipas meje, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga brenda. Ky është fragmenti nga betimi im si kryetar bashkie. Jam këtu për të mbrojtur betimin tim si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Këtë betim do ta mbroj edhe sot, para jush. Nuk ka asgjë më fisnike sot sesa të mbroj besimin. Më thanë se s’kam qenë në detyrë. Edhe kjo ishte fyerja më e rëndë në jetën time. Është fyerja më e rëndë që më ka ardhur nga bashkëpunëtorët e mi. Lutem çdo ditë për ta dhe them: “Fali, sepse nuk e dinë ç’kanë bërë,”” tha Veliaj.