Një banore nga zona e Xhamisë së Tabakëve në Tiranë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me ankesën se ndodhet në një konflikt të vazhdueshëm me komshinjtë e katit poshtë për shkak të zhurmës që shkakton fëmija i saj njëvjeçar.
Sipas saj, pavarësisht përpjekjeve për të reduktuar zhurmat dhe për të shmangur përplasjet, situata është përshkallëzuar dhe shteti nuk ka ndërhyrë për të gjetur një zgjidhje. Banorja tregon se komshinjtë e saj ankohen shpesh për zhurmën e fshesës elektrike dhe të fëmijës, duke i thënë se janë tiranas dhe se ajo, si qiramarrëse, nuk duhet t’i shqetësojë.
Ajo pretendon gjithashtu se fqinjët kanë filluar të krijojnë qëllimisht zhurma nga tavani, gjë që tremb fëmijën e vogël dhe e vë familjen në një situatë të vështirë. Gruaja shprehet e zhgënjyer nga mungesa e veprimit të institucioneve, duke theksuar se është detyruar të kërkojë ndihmë publike përpara se situata të përfundojë në ekstremitet.
Ajo ka dërguar dhe një video ku dëgjohet zhurma që vjen nga kati poshtë, teksa djali i saj i vogël shihet që tremebet nga këto kërcitje nga tavani. Qytetarja kërkon që çështja të marrë vëmendjen e duhur dhe instancat përkatëse të veprojnë.