Eugert Sino, 34 vjeç, i arrestuar si personi në pronësi të furgonit me mbishkrimin “Mirëmbajtja e rrugëve”, brenda të cilit u zbulua një arsenal armësh në rrugën “Myslym Shyri”, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje.
Gjatë marrjes në pyetje, Sino ka deklaruar se furgonin e kishte regjistruar në emrin e tij vetëm për një mik, i cili ia kishte kërkuar këtë si nder. “Nuk kam asnjë lidhje me armët e gjetura në furgon. Kam çelësin e tij, por nuk dija çfarë kishte në pjesën e pasme. Furgoni është në emrin tim sepse ma kërkoi një shok ta vendosja në pronësinë time. Quhet Bledar, por mbiemrin nuk e mbaj mend”, është shprehur ai para hetuesve.
Policia po verifikon të dhënat e dhëna nga Sino, pasi emri “Bledar” nuk përputhet me asnjë person konkret në databazën e hetimeve. Nga kontrolli i të dhënave, 34-vjeçari rezulton se ka punuar si banakier në lokalin “Monopol Lounge”, në pronësi të Aurel Hoxhës, person i shpallur në kërkim nga SPAK si drejtues i një grupi kriminal të dyshuar për porositjen e vrasjes së Klevis Lleshit në vitin 2020.
Hetimet po përqendrohen mbi mundësinë e lidhjes së armatimit me këtë grup kriminal, pasi furgoni ku u gjetën 23 armë, mes tyre 5 snajperë, ishte parkuar shumë pranë lokalit “Monopol”.
Sipas burimeve, dyshohet se furgoni kishte qëndruar i palëvizur për 3 deri në 4 muaj, ndërsa për ngjarjen janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë publik nga policia.