Një vit nga masakra e Dobraçit dhe ende pa autor, Policia e Prodës e dorëzuar para krimit në Shkodës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.10.2025, 12:31

Sot shënohet një vit nga atentati i përgjakshëm që më 30 tetor 2024 tronditi Shkodrën dhe gjithë opinionin publik, ndërsa drejtësia vijon të heshtë dhe Policia e Shtetit nuk ka vënë askënd përpara ligjit.

Në atë pasdite, pranë rrethrrotullimit të “5 Heronjve” në lagjen famëkeqe të Dobraçit, u krye një ekzekutim mafioz në mes të ditës, ku mbetën katër persona të vrarë dhe një i plagosur. Në automjetin tip “Benz S-Class” me targa kroate ndodheshin Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një person ende i paidentifikuar, që dyshohet të ketë qenë Ibrahim Lici, një nga emrat më të kërkuar të botës së krimit në Shkodër. Automjeti u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër makinë në lëvizje. Hamza Lici vdiq në vend, Arlind Bushati ndërroi jetë më vonë në spital, ndërsa personi i tretë u largua pa gjurmë ndonëse i plagosur.

Por plumbat e bandave nuk kursyen as të pafajshmit. Flutura Basha, një kalimtare që po udhëtonte me bashkëshortin e saj Bashkim Basha me motor, u përfshi në përplasjen e frikshme që pasoi atentatin. Ajo humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj u plagos rëndë dhe vdiq pak ditë më vonë në spital.

Një vit më pas, asnjë autor nuk është identifikuar, asnjë arrestim nuk është bërë, dhe Policia e Shtetit vazhdon të japë të njëjtat deklarata të zbrazëta për “hetime që vijojnë”. Në vend që të garantojë sigurinë e qytetarëve, Policia e Ilir Porodës duket se ka dorëzuar kontrollin e Shkodrës në duart e grupeve kriminale, që veprojnë lirshëm dhe pa asnjë frikë nga ligji.

Shkodra sot është kthyer në një qytet ku krimi qarkullon me makina luksoze, ndërsa policia fshihet pas konferencave të shtypit dhe statistikave false. Ngjarje të njëpasnjëshme, atentate, zhdukje personash dhe vrasje me porosi kanë mbetur të pazbardhura, duke treguar një dështim total të strukturave të rendit dhe të hetimit.

Një vit pas masakrës së Dobraçit, drejtësia nuk ka emra, por qytetarët kanë humbur besimin. Në Shkodër, krimi flet me armë, ndërsa shteti hesht.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit