Një histori që të ngroh shpirtin, por edhe të copëton zemrën, po qarkullon në rrjetet sociale.
Prej më shumë se 10 ditësh, në rrugën “Minella Karajani”, pranë nënkalimit në Shkozë, Tiranë, një zonjë e moshuar qëndron çdo ditë ulur në trotuar e vetme, pa strehë, pa familje, me vetëm një batanije për t’u mbuluar.
Ajo quhet Vjollca Sharra, 61 vjeçe. Qytetarë të ndryshëm nga zona tregojnë se e kanë parë shpesh, e kanë ndihmuar sa kanë mundur, por gjendja e saj është e rëndë.
Një prej tyre, që vendosi të ndajë rastin me JOQ, shkruan:
“Nuk mund të kaloj pranë saj dhe të bëj sikur s’po shoh asgjë. Çdo ditë e gjej aty, e ulur dhe e tronditur. Thotë se ka qenë në qendrën sociale ‘Strehëza’ në Shkozë, por atje është keqtrajtuar dhe përfundimisht e kanë përjashtuar. Nuk do të kthehet më atje. Më tha: ‘Dua të iki tek fëmijët e mi, por s’më kujtohet ku janë’.”
Një fjali që e rrëzon çdo shpirt njerëzor.
Një nënë që e di që dikur ka pasur fëmijë, por kujtesa nuk e ndihmon më të kujtojë as emrat, as rrugën drejt tyre.
Qytetarja tregon se ka njoftuar policinë, e cila ka reaguar menjëherë, është interesuar për rastin dhe ka kontaktuar shërbimin social të Tiranës. Por pavarësisht përpjekjeve, zonja Vjollca nuk është pranuar në asnjë strehëz.
Ajo sot është sërish aty, në të njëjtin vend, nën shi e në të ftohtë.
Një grua që dikur ka pasur shtëpi, familje, kujtime e sot ka mbetur vetëm me rrugën dhe një batanije.
Apeli është i hapur për këdo që mund të ndihmojë: organizata, institucione apo njerëz të mirë që mund t’i sigurojnë një vend të ngrohtë ku të flejë dhe të ndjehet njeri.
Askush nuk e meriton të mbyllë pleqërinë në vetmi e dhimbje.
Zonja Vjollca ka nevojë për një dorë, për një zë që ta dëgjojë, për një shpresë që t’i rikthejë jetën.