Mbrëmjen e sotme u luajt ndeshja mes Tiranës dhe Elbasanit, e vlefshme për javën e 9-të të Kategorisë Superiore. “Verdheblutë” e Elbasanit dhanë një leksion të vërtetë në “Air Albania”, duke mposhtur thellë 1-4 skuadrën “bardheblu” të kryeqytetit.
Golat u shënuan nga Tsague në minutat 38’ dhe 42’, Gomes në 90+2’, dhe Diallo në 90+6’, ndërsa për Tiranën realizoi Tabekou në minutën e 65’.
Pas përfundimit të ndeshjes, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një video që tregon një grup tifozësh të Tiranës, të cilët e kanë përjetuar keq këtë disfatë të rëndë, si dhe ecurinë e dobët të ekipit këtë sezon. Në pamje shihet se ata kanë shfryrë nervat në rrugët e kryeqytetit, duke sharë.
Sipas qytetarit që dërgoi videon, tifozët janë përplasur me efektivë të policisë, por fatmirësisht pa incidente serioze.
“Tifozat e Tironës tu bo remuja! Përplasje midis policisë dhe tifozave të Tironës,” – shprehet qytetari që dërgoi videon në redaksinë tonë.
Në aspektin sportiv, Elbasani pas këtij triumfi ngjitet në vendin e tretë në renditje me 17 pikë, ndërsa Tirana mbetet në vendin e parafundit me vetëm 6 pikë, duke kaluar në një nga momentet më të vështira të viteve të fundit.