Izraeli vret mbi 100 persona në 24 orët e fundit në Gaza: Jemi të përkushtuar ndaj armëpushimit!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.10.2025, 19:18

Izraeli ka vrarë mbi 100 persona në Rripin e Gazës në një ditë të vetme bombardimesh, pas vrasjes së një ushtari izraelit, ndërsa autoritetet izraelite deklarojnë se vendi i tyre mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 104 persona humbën jetën, përfshirë 46 fëmijë dhe 20 gra, gjatë sulmeve ajrore të ushtrisë izraelite. Ndër viktimat është edhe familja Abu Dalal në Nuseirat, e cila u shua plotësisht pasi shtëpia e tyre u rrafshua nga një goditje ajrore.

Ushtria izraelite tha se sulmet kishin në shënjestër dhjetëra militantë të Hamasit, përfshirë një komandant që dyshohet se mori pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023 kundër Izraelit. Megjithatë, bombardimet kanë shkaktuar viktima të shumta civile dhe panik mes popullatës palestineze.

Sipas burimeve izraelite, ushtari u vra në një zonë brenda “vijës së verdhë”, territor që Izraeli kishte braktisur sipas marrëveshjes së armëpushimit. Hamas ka mohuar përgjegjësinë për incidentin.

Banorët e Gazës thanë se nata ishte e frikshme. “Zhurmat e shpërthimeve na bënë të mendonim se lufta kishte filluar përsëri,” – rrëfeu një palestinez 40-vjeçar për Reuters.

Pavarësisht bombardimeve, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi “nuk është në rrezik”.

“Izraeli u sulmua dhe reagoi. Kur ndodh diçka e tillë, ata duhet të kundërpërgjigjen,” – tha Trump, duke shtuar se “asgjë nuk do ta rrezikojë marrëveshjen e paqes”.

Ndërkohë, Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, e quajti situatën “shumë zhgënjyese dhe shqetësuese”, duke paralajmëruar se përshkallëzimi mund të rrezikojë procesin e ndërmjetësimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit