Një 28-vjeçar shqiptar, Gerald Cera, është dënuar me 6 vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për mashtrim dhe ndihmë të imigracionit të paligjshëm. Ai kishte falsifikuar dokumente për të ndihmuar tetë fëmijë shqiptarë të përfitonin në mënyrë të paligjshme shtetësinë britanike.
Sipas hetimeve, Cera ishte pjesë e një grupi kriminal të organizuar, i cili kishte ngritur një skemë të sofistikuar për aplikime të rreme për pasaporta britanike. Gjatë periudhës shtator 2022 – gusht 2024, ai kishte pretenduar se ishte babai biologjik i tetë foshnjave, duke paraqitur dokumente dhe prova të fabrikuara për ta mbështetur këtë pretendim.
Në aplikime, ai kishte dorëzuar fotografi të manipuluara, ku shfaqej duke mbajtur foshnjat në krahë, si dhe kishte përdorur dokumentet e tij origjinale, përfshirë pasaportën dhe certifikatën e natyralizimit në Mbretërinë e Bashkuar. Pagesat për aplikimet ishin kryer përmes kartave bankare dhe adresave elektronike që mbanin emrin e tij, duke i dhënë dukje legjitimiteti procesit.
Në seancën gjyqësore të mbajtur në St Albans Crown Court, gjykata e cilësoi mashtrimin si një skemë me “nivel të lartë planifikimi dhe sofistikimi”. Përveç dënimit me burg, Ministria e Brendshme britanike i ka hequr Cerës edhe shtetësinë britanike. Ndërkohë, të gjitha pasaportat e lëshuara për fëmijët e përfshirë në këtë skemë janë anuluar.
Gjatë hetimit, autoritetet zbuluan se Cera kishte lidhje me një tjetër shtetas shqiptar, Petrit Musa, i cili muajin e kaluar kishte pranuar fajësinë për 13 raste të ngjashme mashtrimi me pasaporta për fëmijë shqiptarë.
Gerald Cera u arrestua më 16 shkurt 2025 në aeroportin e Lutonit, ndërsa gjatë kontrollit ai refuzoi të jepte kodet e aksesit për telefonin dhe laptopin e tij, çka solli një tjetër akuzë për mosbashkëpunim me policinë.
Prokurorja e çështjes, Roma Karampatsi, deklaroi se rrëfimet e Cerës gjatë hetimit ishin “plot kontradikta”, duke theksuar se veprimet e tij “cenojnë integritetin e sistemit të imigracionit britanik dhe dëmtojnë njerëzit që kërkojnë të hyjnë ligjërisht në vend”.
Ky rast është pjesë e një sërë hetimesh të reja të autoriteteve britanike kundër rrjeteve kriminale shqiptare që përfshihen në manipulime të dokumenteve dhe aplikimeve për pasaportë, një fenomen që po trajtohet me përparësi nga agjencitë e sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar.