Spalletti zbarkon në Torino, i thotë ‘po’ drejtimit të Juventusit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.10.2025, 18:58

Pas shumë javësh spekulimesh, tashmë është zyrtare: Luciano Spalletti do të jetë trajneri i ri i Juventusit. Ish-tekniku i kombëtares italiane ka pranuar ofertën e drejtuesve bardhezi dhe do të nisë punën ditën e enjte, me një objektiv të qartë, rikthimin e skuadrës në zonën Champions dhe ringritjen e identitetit të vërtetë juventin.

Sipas mediave italiane, marrëveshja mes palëve është arritur për një kontratë deri në qershor të vitit 2026, me një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon. Kontrata parashikon rinovim automatik për dy vite të tjera dhe një rritje të lehtë page, nëse skuadra arrin kualifikimin në Champions League.

Spalletti, i njohur për filozofinë e tij të lojës moderne dhe ndërtimin e ekipeve me identitet të fortë, pritet t’i japë Juventusit një fytyrë krejt të re. Sistemi i tij do të jetë një 4-3-3 ofensive, me yje si Yildiz dhe Conceiçao në krahë, ndërsa në qendër të sulmit do të alternohen Vlahovic dhe David. Një nga prioritetet e para të trajnerit do të jetë rikuperimi i Teun Koopmeiners, lojtari për të cilin klubi investoi shumë, por që ende nuk ka gjetur formën e tij më të mirë.

Për Spallettin, kjo është një mundësi për t’u rikthyer në skenën e madhe të futbollit pas eksperiencës jo të suksesshme me Italinë në Euro 2024. Ndërsa për Juventusin, është një fillim i ri pas një periudhe tranzicioni të lodhshme.

Burime pranë klubit zbulojnë se drejtuesit bardhezi nuk e patën të vështirë ta bindnin trajnerin toskan. Vetë Spalletti e kishte konsideruar gjithmonë Juventusin si një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij.

Gjatë ditës së martë, drejtori teknik Modesto kishte tentuar të shqyrtonte edhe kandidaturën e Raffaele Palladino-s, një emër i njohur për të që nga koha e Monzës, por bisedimet mbetën thjesht formale. Shefi ekzekutiv i klubit kishte tashmë një plan të qartë: Spalletti ishte njeriu i duhur për stolin bardhezi.

Në Torino, atmosfera është e ndezur. Me një trajner karizmatik dhe një projekt që parashikon futboll spektakolar, “Zonja e Vjetër” duket se është gati të kthehet aty ku e ka vendin, në majat e Italisë dhe Europës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit