“Hapni shtëpitë publike, të lirohen psikopatët dhe injorantët!”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.10.2025, 20:15

Pas serisë së vrasjeve absurde që tronditën vendin, nga tasi i proshutës në Tiranë, te fotoja me kalin në Berat e deri te kafeja në Durrës, në redaksinë e JOQ mbërriti një mesazh që, sado i çuditshëm të tingëllojë, përmbledh në mënyrë të dhimbshme gjendjen shpirtërore të shoqërisë shqiptare: “Urgjent të legalizohen shtëpitë publike në Shqipëri. Një frustrim ekstrem që s’ka justifikim. Hapni shtëpitë publike të lirohen psikopatet dhe injorantët, se morëm fund si shoqëri.”

Ky reagim nuk është një thirrje për erotizëm, por një shpërthim dëshpërimi. Një sinjal se njerëzit po ndjejnë diçka që s’kanë fjalë ta përshkruajnë, një shpërthim dhune, frustrimi dhe pakuptimi që përditë merr jetë njerëzish për arsye qesharake.

Në pak javë, Shqipëria është kthyer në laboratorin e absurdit: njerëz që vrasin për një porosi në tavolinë, për një fjalë goje, për një foto. Dhe ndërsa çdo ngjarje e re trajtohet si “një tjetër kronikë e zezë”, askush nuk pyet pse po arrijmë në këtë pikë.

Thirrja për “shtëpi publike” është thjesht metafora më brutale e një shoqërie që kërkon shkarkim për tensionet që nuk di si t’i menaxhojë. Ajo flet për mungesë kujdesi mendor, për një realitet të varfër emocionalisht, për breza që nuk dinë më të përballen me frustrimin, përballjen, apo humbjen.

Në thelb, problemi nuk është as seksi, as morali, por mungesa e kanaleve të shëndetshme për të shfryrë dhunën, stresin dhe boshllëkun që po na mbulon përditë. Kur institucionet nuk funksionojnë, kur shërbimet psikologjike janë luks, kur njeriu nuk ndjehet i dëgjuar, ai bërtet dhe ndonjëherë, fatkeqësisht, qëllon.

Nëse dikur lajmet për vrasje ishin ngjarje të rralla, sot ato janë pasqyra e një populli që po digjet nga brenda. Dhe mesazhe si ky që mbërriti te JOQ janë më shumë se një shaka e hidhur, janë paralajmërime se shoqëria po arrin kufijtë e shpërthimit moral dhe emocional.

Nëse nuk merremi me shkaqet, shumë shpejt do të mësohemi me pasojat. Dhe atëherë, edhe vrasjet për një tas, një foto apo një fjalë, nuk do të na tronditin më. Dhe ky do të jetë momenti kur do të kemi humbur gjithçka.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit