42-vjeçari Keli Hoxha kishte shkuar të martën me familjen për të vizituar kalanë e qytetit të Beratit, por vizita turistike u kthye në tragjedi. Ai u vra në sy të fëmijëve, bashkëshortes dhe nënës së tij nga Kristo Mema, vetëm pse, sipas autorit viktima “i preku kalin”.
Sipas hetimeve paraprake, Mema kishte me vete një thikë të vendosur nën samar, të cilën e përdori për të goditur për vdekej Hoxhën, duke e lënë të pajetë në vend. Në dëshminë e dhënë më vonë në polici, ai është përpjekur ta justifikojë aktin duke fajësuar viktimën se “kishte shqetësuar kalin”, ndërkohë që banorët e zonës tregojnë se autori njihej për sjellje problematike.
Pas krimit, Mema zbriti nga kalaja drejt banesës së tij, një lagje më poshtë, ku lidh kalin, mori disa ushqime dhe u largua për t’u fshehur në Shpellën e Memecit. Forcat e policisë e gjetën pas katër orësh kërkimesh dhe e arrestuan.
Hetimet zbuluan se vrasësi, i njohur edhe me emrin Kastriot Hoxha, kishte precedentë penalë. Banorët e kalasë pohojnë se sjelljet e tij agresive dhe konfliktet e mëparshme e kishin bërë tragjedinë “të paralajmëruar”.