Vetëm pak minuta larg qendrës së kryeqytetit, aty ku Tiranës i ngrihen kulla njëra pas tjetrës, ndodhet një tjetër realitet që duket sikur është lënë qëllimisht në harresë. Në Njësinë 11, në zemër të Laprakës, katër rrugë, “Muharrem Bajraktari”, “Jakup Ferri”, “Kostë Koci” dhe “Agim Hysenbelliu”, janë kthyer në shembullin më të gjallë të neglizhencës urbane.
Vetëm 200 metra larg sheshit “Shqiponja” dhe ngjitur me shkollën “Andrea Stefani”, rrugët duken si pas një bombardimi. Asfalt i çarë, gropa të mbushura me ujë, pluhur në verë, baltë në dimër, mungesë e plotë ndriçimi dhe kanalizimesh. Banorët janë lodhur duke u përpjekur të ecin me këmbë të thata në një zonë që teorikisht duhet të ishte pjesë e Tiranës moderne që promovon qeveria.
Mbi 4500 qytetarë jetojnë në këto lagje, shumica e të cilëve janë taksapagues të rregullt dhe me ndërtime të legalizuara, mbi 85%. E megjithatë, as Bashkia e Tiranës, as ndonjë institucion tjetër nuk është kujtuar t’i shërbejë. Vitet kalojnë, premtimet përsëriten, por realiteti mbetet i njëjtë: rrugë të shkatërruara, fëmijë që shkojnë në shkollë mes baltës dhe banorë që ndihen të braktisur nga çdo autoritet.
Në një Tiranë që krenohet me bulevarde të reja, fasada shumëngjyrëshe dhe “smart city” në letër, Lapraka mbetet dëshmia e gjallë e një kontrasti të thellë, qytetarë që paguajnë si në Europë, por ecin në rrugë që nuk do t’i pranonte as periferia më e varfër e një qyteti të pas lufte.
Nëse ka një simbol të pabarazisë urbane në kryeqytet, ai ndodhet pikërisht këtu, mes katër rrugëve të harruara, që çdo ditë i kujtojnë Tiranës se pas ndriçimit të bulevardit dhe kullave të oligarkëve fshihet errësira e moskujdesit.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
"Këto janë rrugët:“Muharrem Bajraktari”, “Jakup Ferri”, “Kostë Koci”, dhe “Agim Hysenbelliu”, Njësia 11, Laprakë! Gjendja e këtyre rrugëve, 2 km larg qendrës së Tiranës, ngjitur me shkollën” Andrea Stefani, 200m nga sheshi” Shqiponja”, është si mos më keq. Mbi 4500 banorët e këtyre lagjeve, ndonëse janë taksapagues të rregullt dhe mbi 85% e ndërtimeve janë legale, nuk kanë marrë asnjë shërbim nga pushteti qendror as vendor. Ankesat e këtyre banorëve nuk kanë munguar asnjëherë, por ato gjithmonë kanë rënë në vesh të shurdhër."