Tregjet e vendit tonë duket se janë mbushur plot me produkte të pasigurta, të cilat shpesh vendosin në pikëpyetje shëndetin e qytetarëve.
Rastet kur në marketet e vendit tonë janë shitur çokollata me krimba, makarona me milingona, apo sallam me pendë pulash nuk kanë munguar.
Duket se AKU-ja nuk është në gjendje që të monitorojë të gjithë tregun dhe ta mbajë në kontroll. Pas dhjetëra denoncimeve, TVA News pyeti qytetarët se “Sa të sigurt ndihen me produktet që blejnë? A u ka qëlluar ndonjëherë që të marrin produkte të prishura ose të skaduara?”
Në masë të madhe qytetarët pohuan se ndihen të pasigurt, dhe shpesh kanë blerë produkte të skaduara.
“Më kanë qëlluar të skaduara. Bleva sot piper të kuq, skadenca ishte 10 tetor 2023. Çfarë do bëja? Thashë hajt se piper është. Shqetësohemi shumë, por ku të përplasemi,” tha një zonjë.
“Garanci shumë nuk kemi, por shikojmë datën e skadencës dhe i marrim,” shtoi një qytetare tjetër, teksa një zonjë tha më tej: “Të skaduara dhe të prishura po. Ne nuk dimë çfarë hamë.”
Një burë pohoi se ka blerë makarona me miza. Qytetarët kërkuan që AKU të marrë më shumë masa për të kontrolluar tregun, pasi këto produkte po u rrezikojnë jetën.
Pavarësisht gjithëçkaje, në fund të fundit në lojë është shëndeti i shoqërisë. E për sa kohë institucionet nuk e kontrollojnë dot tregun, vetë-kujdesi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur.
Shkrimi u mor nga TVA News!