‘SuperMario’ dhuron asist dhe nxjerr Ronaldon jashtë Kupës së Arabisë Saudite

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.10.2025, 13:01

Në një mbrëmje ku yje botërorë si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema, Sadio Mané, N’Golo Kanté, Joao Félix dhe Kingsley Coman ndanë të njëjtin fushëbetejë, ishte një shqiptar ai që vodhi skenën. Mario Mitaj, mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, zhvilloi një ndeshje madhështore me fanellën e Al Ittihad, duke u kthyer në “SuperMario”-n e vërtetë të mbrëmjes.

Në sfidën e zjarrtë për 1/8 e Kupës së Mbretit, Al Ittihad mposhti Al Nassr-in e Ronaldos me rezultatin 1-2, duke i dhënë fund sërish ëndrrës së CR7 për të ngritur një trofe vendas. Përpara 25 mijë spektatorëve në Riad, takimi nisi me ritëm të lartë dhe miqtë kaluan në avantazh në minutën e 15-të me golin e Karim Benzema. Al Nassr reagoi me Angelon në minutën e 30-të, por surpriza më e madhe do të vinte në fundin e pjesës së parë.

Pas një aksioni të rrjedhshëm, Mario Mitaj kreu një pasim mjeshtëror për Aouar, që nuk fali përballë portierit dhe vulosi kualifikimin e Al Ittihad. Ishte momenti i ndeshjes dhe ndoshta edhe i sezonit për 22-vjeçarin shqiptar, që tregoi personalitet, vizion dhe teknikë në nivelin më të lartë të futbollit aziatik.

Performanca e tij nuk kaloi pa u vënë re: Mitaj u shpall “Njeriu i Ndeshjes” dhe mori notën më të lartë nga “SofaScore”, plot 8.4, duke lënë pas legjenda me dekada përvojë.

Një paraqitje që nuk vlen vetëm për statistikë por si mesazh i qartë se “SuperMario” është gati të shkruajë kapituj të rinj, jo vetëm në Arabinë Saudite, por edhe në historinë moderne të Kombëtares shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit