Një arsenal i madh armësh është zbuluar së fundmi në Tiranë, si rezultat i operacionit të koduar “The Van”, zhvilluar nga forcat e Policisë së Komisariatit nr. 2.
Në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit të një furgoni, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh që dyshohet se do përdoreshin për qëllime kriminale. Brenda automjetit janë gjetur:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar 34-vjeçarin Eugert Sina, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë rrjet kriminal si dhe vijon punen për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.