“Mos ma prek kalin se është acaruar”, autori i vrasjes në Berat: E godita me thikë dhe ika

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.10.2025, 10:25

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 42-vjeçarit Keli Hoxha në qytetin e Beratit, ngjarje që ndodhi mesditën e djeshme në lagjen “Kala”.

Sipas policisë, konflikti mes autorit dhe viktimës nisur për shkak të një kali. Autori i dyshuar, Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha), 63 vjeç, ka treguar gjatë dëshmisë se gjithçka nisi pasi pa viktimën duke prekur kalin e tij.

I thashë të mos e prekte, se kali ishte i acaruar dhe nuk ishte mirë. Ai filloi të më shante nga familja, më ofendoi dhe unë, në nerva e sipër, mora thikën që e mbaja në samarin e kalit dhe e godita”, – ka deklaruar Mema para hetuesve.

Pas krimit, ai është larguar me qetësi në banesë, ka lidhur kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe më pas është fshehur në një shpellë pranë Kishës së Shën Mëhillit, në zonën e njohur si “shpella e memecit”, ku u arrestua disa orë më vonë nga policia.

Nga ana tjetër, familjarët e viktimës kanë mohuar versionin e autorit për sharje e ofendime, duke deklaruar se konflikti nisi vetëm sepse Keli kishte prekur kalin me dorë.

42-vjeçari, me origjinë nga Tropoja dhe banues në Tiranë, u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Hetimet zbuluan gjithashtu se autori i vrasjes kishte një të kaluar kriminale: në vitin 1993 kishte kryer një tjetër vrasje në Berat, por më pas ishte arratisur në Greqi, ku kishte qëndruar për 25 vjet dhe kishte ndryshuar emrin. Për atë ngjarje, ai nuk kishte bërë asnjë ditë burg, pasi vrasja ishte parashkruar.

Policia e Beratit vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes që tronditi qytetin, ndërsa 63-vjeçari pritet të dalë para gjykatës për masën e sigurisë në ditët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit