Punonjësit e Cirkut Kombëtar kanë ngritur zërin për kushtet skandaloze në të cilat janë detyruar të punojnë prej muajsh. Sipas një denoncimi, në ambientet e institucionit mungojnë tualetet dhe uji për larje, ndërsa një perde u shërben si dhomë zhveshjeje.
Fikësit e zjarrit, sipas tyre, nuk janë mbushur që nga viti 2020, duke vënë në rrezik sigurinë e punonjësve. Megjithëse situata i është raportuar disa herë Inspektoratit të Punës, deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete për përmirësim.
Ata akuzojnë Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit me drejtues Blendi Gonxhen dhe drejtuesen e institucionit, Jehona Varfi, për neglizhencë dhe mospërgjegjshmëri, ndërsa si provë kanë bërë publike edhe një audio, ku Varfi dëgjohet duke u thënë punonjësve se “kushtet janë më mirë seç kanë qenë”, në një kohë kur realiteti është krejt ndryshe.
Punonjësit e Cirkut Kombëtar po përballen me presione të vazhdueshme, dhe një prej kolegëve rrezikon vendin e punës vetëm pse ka kërkuar kushte më të mira për të gjithë. “Në vend të artit, këtu po luhet një cirk tjetër, ai i padrejtësive”, shprehet një prej artistëve me revoltë.
“Përshëndetje JOQ! Dua të bëj një denoncim. Shikoni vetë kushtet ku punojmë në Cirkun Kombëtar. Një perde na shërben si dhomë zhveshjeje, nuk kemi tualete e ujë për të larë duart dhe fikësit e zjarrit s’janë mbushur që nga viti 2020. Prej muajsh kemi njoftuar Inspektoratin e Punës për këtë gjendje, por askush s’ka bërë asgjë. E dini pse? Sepse edhe cirku, edhe inspektorati varen nga e njëjta ministri, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, prandaj zëri ynë nuk dëgjohet. Titullarja e këtij institucioni, Jehona Varfi, nuk merr asnjë masë, teksa në një audio dëgjohet duke u thënë punonjësve që kushtet janë më mirë seç kanë qenë, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe. Ndërkohë, dita-ditës përballemi me presione. Një nga kolegët tanë po tentojnë ta heqin nga puna vetëm sepse flet dhe kërkon kushte më të mira për të gjithë ne. Këtu po luhet një “cirk” tjetër, ai i padrejtësive, jo i artit. Na ndihmoni ta bëjmë publik këtë realitet”, denoncon një anëtar i Cirkut Kombëtar.
