Gjigandi amerikan i teknologjisë, Amazon, pritet të pushojë deri në 30 mijë punonjës zyre, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare. Largimet pritet të nisin që nga nesër dhe do të përbëjnë gati 10% të fuqisë punëtore korporative të kompanisë.
Ky është një tjetër sinjal alarmi për tregun e punës në SHBA, ndërsa përparimet e shpejta të Iinteligjencës Artificiale po nxisin frikën se teknologjia po zëvendëson gjithnjë e më shumë punonjësit e kualifikuar.
Amazon aktualisht ka mbi 350 mijë punonjës zyre, sipas të dhënave të dorëzuara në Komisionin Amerikan për Barazinë në Punësim (EEOC).
Në një postim të muajit qershor, CEO i Amazon, Andy Jassy, kishte pranuar se përfitimet nga përdorimi i inteligjencës artificiale do ta ndihmonin kompaninë të funksiononte me më pak staf njerëzor në të ardhmen.
Kjo nuk është hera e parë që Amazon bën shkurtim masiv. Vetëm në vitin 2023, kompania pushoi 27 mijë punonjës në sektorët e burimeve njerëzore, Amazon Stores dhe Amazon Web Services, duke e justifikuar vendimin me përkeqësimin e situatës ekonomike globale.
Ekspertët e teknologjisë paralajmërojnë se këto zhvillime po sinjalizojnë një epokë të re pune, ku shumë profesione tradicionale mund të zhduken. Megjithatë, sipas disa studiuesve të AI, frika se inteligjenca artificiale do t’i zëvendësojë njerëzit plotësisht ende nuk mbështetet në prova të forta shkencore.