Masakër në Brazil: 64 të vrarë në përleshjet midis policisë dhe bandës famëkeqe në Rio

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.10.2025, 22:45

Të paktën 64 persona kanë humbur jetën në një nga operacionet më të përgjakshme të policisë në historinë e Rio de Zhaneiros. Aksioni ndodhi vetëm pak ditë para se qyteti të presë ngjarje ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë samitin global të kryebashkiakëve për klimën (C40) dhe çmimin “Earthshot” të Princit William, ku do të marrin pjesë emra të njohur si Kylie Minogue dhe Sebastian Vettel.

Operacioni masiv, që synonte shkatërrimin e bandës famëkeqe Comando Vermelho, përfshiu rreth 2500 forca sigurie në lagjet e varfra të Alemao dhe Penha, pranë aeroportit ndërkombëtar të qytetit.

Sipas guvernatorit të Rio-s, Claudio Castro, në mesin e të vrarëve janë edhe katër policë, ndërsa janë arrestuar 81 persona dhe janë ekzekutuar 250 urdhra ndalimi për trafikantë dhe persona të përfshirë në pastrim parash.

Pamjet që kanë qarkulluar tregojnë drone të pajisura me granata, që u përdorën nga grupet kriminale kundër policisë. Në rrugët e qytetit u panë makina të djegura, tym që mbulonte qiellin dhe shkëmbime zjarri që zgjatën me orë të tëra.

Ngjarja ka shkaktuar kaos total në Rio, duke ndërprerë mësimin në dhjetëra shkolla dhe shërbimin në spitale, ndërsa trafiku është paralizuar në disa lagje.

Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë i Brazilit, Ricardo Lewandowski, tha se qeveria federale nuk ishte njoftuar paraprakisht për operacionin, duke e cilësuar atë si “të përgjakshëm”.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dënuar ashpër bilancin tragjik, duke e quajtur operacionin “një dështim total” dhe “një qasje të gabuar që nuk prek rrënjët e trafikut të drogës”.

Kjo është më e përgjakshmja ndërhyrje policore që ka njohur ndonjëherë Rio de Zhaneiro, në një periudhë kur qyteti po përgatitet të tregojë imazhin e tij më “të gjelbër” për botën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit