Zvicra rikthen bunkerët nëntokësorë, 9 milionë qytetarë do të kenë një vend të sigurt në rast të një sulmi rus

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 28.10.2025, 20:36

Frika nga një përshkallëzim i luftës në Ukrainë po ndikon edhe në vendet që tradicionalisht kanë ruajtur neutralitetin e tyre. Një prej tyre është Zvicra, e cila ka nisur një program ambicioz për rikthimin në funksion të bunkerëve nëntokësorë ndërtuar që prej Luftës së Ftohtë.

Sipas planit të ri, autoritetet federale synojnë që çdo banor, rreth 9 milionë njerëz, të ketë një vend të sigurt në rast të një sulmi bërthamor apo ajror. Në total, projekti parashikon investime mbi 1.3 miliardë euro, për të rindërtuar dhe modernizuar mbi 370 mijë bunkerë privatë dhe publikë në të gjithë vendin.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shumë prej këtyre strukturave u kthyen në bodrume, depo apo ambiente kultivimi kërpudhash, duke dalë jashtë përdorimit. Por ndryshimet gjeopolitike dhe frika nga një konflikt i mundshëm në Europën Lindore kanë shtyrë autoritetet të riaktivizojnë të gjitha strehimet.

Një nga projektet më simbolike është bunkeri “Urania” në qendër të Cyrihut, një garazh nëntokësor me shtatë kate, i cili mund të strehojë deri në 11 mijë persona. Ai është i pajisur me mure betoni të përforcuar, dyer masive, sisteme filtrimi të ajrit, gjeneratorë elektrikë dhe furnizime me ujë, sipas standardeve të mbrojtjes civile. Rregullorja kërkon të paktën 1 metër katror për çdo person dhe një tualet për çdo 30 njerëz.

Deri disa vite më parë, ndërtimi i bunkerëve ishte detyrim ligjor për çdo godinë të re në Zvicër. Në kohë paqeje, ato shfrytëzoheshin si bodrume private, por në rast emergjence, çdo qytetar ka një vend të caktuar në mënyrë konfidenciale nga autoritetet.

Frika në Zvicër nuk lidhet më vetëm me një sulm bërthamor global, por edhe me rrezikun e luftërave konvencionale që mund të përfshijnë Europën. Kjo ka nxitur edhe sektorin privat, ku tregu i bunkerëve po përjeton një boom të vërtetë, çmimet variojnë nga 20 mijë euro për modelet bazë, deri në mbi 1 milion euro për strukturat luksoze, të pajisura me çdo komoditet.

Kompanitë zvicerane po shohin me interes të veçantë edhe tregun amerikan, ku ekziston një industri e madhe e mbrojtjes civile. Sipas analistëve, prodhuesit e Zvicrës mund të zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut global, nëse tarifat doganore tëadministratës Trump nuk do të pengojnë eksportet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit