Vdekja nga një tas proshute në Tiranë, një foto me kalin në Berat, apo një kafe në Durrës... Shqipëria e ditëve të fundit po shfaqet si një vend ku jeta njerëzore vlen më pak se një 2 lekësh. Tre ngjarje të ndodhura brenda pak ditësh, të gjitha me pasojë vdekjen, kanë tronditur publikun dhe kanë nxjerrë në pah një realitet të frikshëm: vrasjet absurde janë bërë rutinë.
Në Tiranë, një picier vrau me thikë kamarierin pas një zënke për një tas proshute. Në Berat, një turist nga Tirana u vra në sy të fëmijëve, sepse nuk pranoi të paguante për një foto me kalin. Dhe vetëm pak ditë më parë, në Durrës, dy burra u vranë për një kafe. Në të gjitha rastet, motivet janë aq të pakuptimta, sa duket sikur shoqëria ka humbur çdo filtër mes fjalës dhe krimit.
Këto nuk janë thjesht “ngjarje kronike”. Janë simptoma të një sëmundjeje sociale që po thellohet: varfëri e përbashkët, dhunë e brendshme, mungesë respekti për jetën dhe për ligjin. Një brez që është mësuar të zgjidhë gjithçka me nerva, me fjalë të rënda, e pastaj me armë ose thikë.
Në një vend ku institucionet janë të dobëta, ku ndëshkimi mungon dhe ku dhuna është bërë pjesë e kulturës së përditshme, nuk ka më “vrasje për arsye banale”, ka vetëm vrasje që tregojnë sa pak na kushton njeriu.
Këto histori nuk flasin vetëm për fajin e atyre që vranë, por për fajin e një shoqërie që nuk mëson dot asgjë nga tragjeditë e veta. Në Shqipërinë e sotme, një debat për një tas, një foto apo një kafe mund të të marrë jetën. Dhe kjo është tragjedia më e madhe që mund të thuhet për një vend që pretendon të ecë drejt Europës.