Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të ndërmarrë menjëherë “sulme të fuqishme” ndaj Gazës, në një vendim që rrezikon të minojë armëpushimin e brishtë të ndërmjetësuar nga SHBA.
Urdhri i Netanyahut erdhi pas tensioneve të reja, pasi Izraeli raportoi se trupat e tij në jug të Gazës janë qëlluar nga militantët e Hamasit. Për më tepër, grupi islamik dorëzoi mbetjet mortore të një pengu që, sipas Izraelit, ishte rikuperuar më herët gjatë luftës. Netanyahu e cilësoi këtë veprim si “shkelje të qartë” të marrëveshjes së armëpushimit, e cila parashikon kthimin e menjëhershëm të trupave të pengjeve izraelite.
Ndërkohë, një zyrtar ushtarak izraelit deklaroi se trupat janë qëlluar edhe në qytetin Rafah dhe kanë hapur zjarr në kundërpërgjigje. Armëpushimi, që nisi më 10 tetor, është mbajtur kryesisht në fuqi pavarësisht disa shpërthimeve të dhunës.
Sipas autoriteteve izraelite, në Gaza ndodhen ende 13 trupa pengjesh. Hamas tha se kishte gjetur trupin e njërit prej tyre, por pas urdhrit për sulme, njoftoi se do të shtynte dorëzimin e tij. Pamje të siguruara nga agjencia Associated Press tregojnë disa militantë që transportonin një trup të mbështjellë me çarçaf të bardhë nga një tunel në Khan Younis.
Kjo është hera e dytë që prej nisjes së armëpushimit që dorëzimi i mbetjeve nga Hamas shkakton polemika. Në një rast të mëparshëm, një nga trupat e dorëzuar u identifikua si palestinez dhe jo izraelit.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, trupi i rikthyer i përket Ofir Tzarfatit, i rrëmbyer nga festivali “Nova” gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, që shkaktoi mbi 1200 viktima dhe rrëmbimin e 251 personave.