Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e lokalit “City Lounge” në Tiranë, ku kuzhinieri Filip Shehu vrau me thikë kamarierin Indrit Islamllari, pas një sherri mes kolegësh që përfundoi në tragjedi.
Sipas burimeve hetimore, Shehu ka deklaruar se viktima e bullizonte dhe e ofendonte vazhdimisht në vendin e punës, ndërsa konflikti mes tyre kishte nisur prej kohësh për arsye banale që lidhen me ndarjen e detyrave në lokal.
Ngjarja ndodhi në zonën e Komunës së Parisit, ku pas një debati të ashpër, autori e goditi Ismaillarin me thikë në pjesën e kraharorit. 34-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por humbi jetën për shkak të plagëve të marra.
Autori u arrestua menjëherë nga policia, ndërsa në dëshminë e parë ka thënë se “është zënë me viktimën për punën” dhe se nuk kishte qëllim ta vriste.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivin e këtij krimi që ka tronditur kryeqytetin.