Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën këtë të martë rreth mesditës, ku një shpërthim tritoli la të plagosur 38-vjeçarin Enea Buzukja, inspektor në Hetimin Tatimor të qytetit.
Sipas burimeve paraprake, lënda plasëse është aktivizuar me telekomandë, në momentin kur Buzukja po tentonte të hipte në automjetin e tij. Shpërthimi ka ndodhur në motorin e makinës dhe ka shkaktuar plagosjen e inspektorit në dorë, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës. Zona është e pajisur me kamera sigurie, të cilat pritet të ndihmojnë grupin hetimor në identifikimin e autorëve dhe motivit të ngjarjes.
Policia ka ngritur disa pista hetimi, ndërsa një prej tyre lidhet me detyrën e Buzukjas në Hetimin Tatimor, ku dyshohet se mund të ketë pasur konflikte për shkak të punës së tij.
Ngjarja ka krijuar tension dhe pasiguri në qytet, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje në orët në vijim.