“Të harruar prej 30 vitesh”, banorët në Domaj të Hasit mes baltës dhe premtimeve boshe

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.10.2025, 12:06

Banorët e fshatit Domaj në njësinë administrative të Hasit kanë ngritur një apel publik përmes JOQ Albania, duke denoncuar gjendjen e rëndë të rrugës që lidh fshatin me pjesën tjetër të zonës.

Ata thonë se prej më shumë se 30 vitesh askush nuk ka ndërhyrë për rikonstruksionin e rrugëve, ndërsa ajo sa vjen e bëhet edhe më e pakalueshme, veçanërisht gjatë dimrit.

Banorët shprehen se ndihen të harruar nga institucionet vendore dhe qendrore, pasi rruga është në gjendje të mjerueshme dhe e rrezikshme për t’u kaluar me automjete. Ata kanë bërë disa herë ankesa pranë Bashkisë së Hasit, por, sipas tyre, përgjigjja që kanë marrë ka qenë se nuk ka fonde të mjaftueshme për fshatrat.

Sipas banorëve, mungesa e infrastrukturës po ndikon ndjeshëm në zhvillimin e zonës, duke e kthyer rrugën në një pengesë serioze për jetesën dhe lëvizjen e përditshme.

Ata kujtojnë se në afërsi të fshatit ndodhet burimi i “Gurrës”, një pasuri natyrore e cila dikur kishte rëndësi të madhe për zonën. Në kohën e komunizmit, ky burim shërbente për ndriçim dhe për bluarjen e misrit e grurit për më shumë se gjashtë fshatra, çka dëshmon për rëndësinë strategjike dhe potencialin e tij.

Banorët theksojnë se është për të ardhur keq që rruga vazhdon të mbetet pengesë për zhvillimin e kësaj zone me mundësi të shumta, duke shtuar se infrastruktura është çelësi për ringjalljen e fshatrave. Ata kërkojnë që autoritetet përkatëse të ndërhyjnë sa më shpejt, në mënyrë që komuniteti i Domajt të mos mbetet më i izoluar.

Denoncimi i banorëve:

"Pershendetje JOQ! Une qe po ju shkruaj jam nga fshati Domaj Hasit dhe jemi totalisht te harruar nga bashkia dhe nga qeveria, dua ta denancoj rrugen e mjerushme qe kemi, qe 30 e ca vjet nuk ka vu dore asnjeri ne ta. Kemi Bere disa denocime ne Bashkin e Hasit por ata na thojn qe qeveria nuk jep fonde te mjaftushme per fshatrat. Kemi ra ne pik te halit, gjate dimrit rruga eshte shume e keqe dhe e frikshme per te kaluar me makin, Kemi Gurren qe buron posht rrethit eshte nje pasuri e madhe per ne dhe zone, Fakti qe ne kohen e komunizmit ky uij sherbente per ndriçim dhe bluarjen e misrit dhe grurit per me shume se 6 Fshatra, tregon per rendesin strategjike dhe potencjalin e ketij burimi. Eshte per te ardhur keq qe rruga eshte penges per zhvillimin – infrastruktura dhe shpesh çelësi per ringjalljen e zonave. Ju lutem ne cofte se e shifeni te arsyshme min ta poblikoni ne faqen tuaj se ne nuk dim se ku te ankohemi ma."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit