Si u zbulua skema e mashtrimit nga Sante Plus: Pacienti portugez pagoi 5200 € por mjekët u zhdukën

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.10.2025, 11:26

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, është vendosur sekuestro konservative ndaj të gjitha pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve “International Medicare” shpk dhe “Sante Plus Group”.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi nisi pas denoncimit të një shtetasi portugez, i cili akuzoi spitalin “International Medicare” (ish “Sante Plus Group”) për mashtrim financiar. Ai kishte paguar 5200 euro për marrjen e tre shërbimeve mjekësore, por ndërhyrjet nuk u kryen kurrë pasi mjekët që do të realizonin operacionet u larguan nga spitali.

Pas disa anulimeve, pacienti kërkoi kthimin e shumës së paguar, por kërkesa e tij nuk u mor parasysh. Ai deklaroi në kallëzim se ishte mashtruar nga spitali, i cili i kishte marrë paratë pa ofruar shërbimin, duke përdorur justifikime të ndryshme.

Nga hetimet e Prokurorisë dhe deklarimet e marra nga punonjësit, është provuar se spitali operonte pa lëshuar kupona tatimorë, duke përdorur mandate dore në vend të faturave fiskale. Gjatë kontrollit u gjetën fatura jo tatimore me vlerë rreth 1 milionë euro, të cilat nuk ishin deklaruar në organet tatimore.

Po ashtu, dyshohet se në spital punonin persona të huaj, kryesisht shtetas turq, të cilët nuk ishin të licencuar për ushtrimin e profesionit të mjekut në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë kqyrjes së ambienteve u gjetën dhe u sekuestruan medikamente të skaduara, si dhe barna që ndalohet shitja e lirë dhe lejohen vetëm për përdorim spitalor në institucione private të licencuara.

Hetimet vijojnë për mashtrim, evazion fiskal dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, ndërkohë që pasuritë e dy subjekteve janë vendosur nën sekuestro preventive, deri në përfundim të procesit hetimor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit