Bilal turku fshehu 1 milionë € të ardhura, sekuestrohen pasuritë e ‘International Medicare’ e Sante Plus

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 28.10.2025, 10:53

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur sekuestro konservative ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve “International Medicare” shpk dhe “Sante Plus Group”. Hetimet për procedimin penal nr. 5022 të vitit 2024 po zhvillohen për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe shmangies nga tatimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Seksionin e Krimit Ekonomik të Policisë Tiranë. Çështja nisi pas denoncimit të një shtetasi portugez, i cili pretendoi se ishte mashtruar nga klinika pas pagesës prej 5200 eurosh për shërbime që nuk u ofruan.

Gjatë kontrolleve, autoritetet konstatuan se spitali operonte me mandate dore dhe jo me kupona tatimorë, duke fshehur të ardhura në shuma të mëdha. U gjetën mbi 1 milion euro fatura jo tatimore, ndërsa në ambientet kirurgjikale u sekuestruan medikamente të skaduara dhe barna që lejohen vetëm për përdorim spitalor. Hetimet zbuluan gjithashtu se një pjesë e mjekëve që punonin në klinikë ishin shtetas të huaj pa licenca për ushtrimin e profesionit në Shqipëri.

Bilal Kara, dhe bashkëpronarja Gerina Arapi janë shpallur në kërkim. Kara, sipas QKB-së, mban 100% të aksioneve të spitalit, por mesa duket mban edhe në dorë jetën e pacientëve, të cilët përballeshin me trajtime që mund të çonin deri në fatalitet. Sipas kontrollit tatimor, “Sante Plus Group” dhe “International Medicare” rezultojnë të kenë fshehur të ardhura dhe detyrime tatimore për miliona lekë, përfshirë mosdeklarimin e pagave reale të punonjësve dhe mospagimin e kontributeve shoqërore.

Prokuroria dyshon se ndryshimi i emrit dhe regjistrimi i subjektit të ri janë bërë për t’i shpëtuar pagesës së borxheve dhe detyrimeve ndaj shtetit, ndërsa hetimet për personat përgjegjës vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit