Gjyshi i 17-vjeçarit që u aksidentua për vdekje në Vlorë: Po kthehej nga puna, shoferi me 200 km/h

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.10.2025, 09:24

Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një 17-vjeçari ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Vlorës. Leandro Shametaj, humbi jetën pasi motori që drejtonte u përplas me një automjet në bulevardin “Ismail Qemali”, në afërsi të një marketi.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 00:10 të së hënës, ndërsa 17-vjeçari u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Sipas të dhënave zyrtare, automjeti që u përplas me motorin drejtohej nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, i cili është shoqëruar nga policia dhe po merret në pyetje për rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë, familjarët e të riut ndodhen në spital, ku presin të tërheqin trupin e pajetë të Leandros, por shprehen të revoltuar për vonesën e procedurave ligjore. Gjyshi i viktimës ka treguar se i riu ishte duke u kthyer nga puna si kamarier, në momentin që ndodhi aksidenti.

“Unë jam gjyshi i djalit. Mbrëmë në 12 të natës është aksidentuar nipi, djali i çupës. Kemi 8 orë që presim dhe nuk vjen mjeku ligjor të bëjë veprimet. Rrinë 30 policë këtu dhe askush nuk merr masa që të vijë mjeku dhe prokurori. Një makinë na e ka vrarë djalin dhe ka ikur me shpejtësi 200 km në orë në qytetin e Vlorës dhe asnjë patrullë policie nuk i ka dalë para. Unë nuk e kam parë me sy nipin. Ai nuk është kriminel. Po vinte nga puna, punonte kamarier.”

Familja Shametaj kërkon nga autoritetet që të përshpejtojnë procedurat për tërheqjen e trupit dhe të sigurojnë një hetim të plotë për rrethanat e aksidentit.

Grupi hetimor i Policisë së Vlorës po vijon punën për të sqaruar shkaqet dhe përgjegjësitë e kësaj ngjarjeje që i mori jetën një të riu, i cili, sipas familjarëve, ishte duke u kthyer në shtëpi pas një dite pune.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit