Një video e animuar, që po bën xhiron e rrjeteve sociale, ka shndërruar në metaforë vizuale ndikimin e padukshëm që ushtron gjendja e të tjerëve mbi ne. Ajo tregon një figurë që ecën mes turmës dhe, teksa kalon pranë njerëzve me energji negative, “mbulohet nga errësira”. Një mesazh i fuqishëm: ne përthithim emocionet e atyre që na rrethojnë, shpesh pa qenë të vetëdijshëm për këtë.
Trupi i njeriut është një “marrës” tepër i ndjeshëm. Ai reagon ndaj energjisë së dikujt tjetër shumë më shpejt se sa truri arrin të përpunojë fjalët. Mjafton të hysh në një ambient të mbushur me tension dhe menjëherë e ndien: zemra fillon të rrahë më shpejt, frymëmarrja bëhet më e cekët dhe shpatullat ngurtësohen. Nuk është magji, është sistemi nervor që paralajmëron se diçka nuk është në harmoni.
Lidhja e emocioneve është si rryma elektrike
Nëse je pranë një personi të zemëruar apo të shqetësuar, trupi yt automatikisht përshtatet me “frekuencën” e tij. Prandaj, pas një takimi me njerëz 'toksikë' apo që vetëm ankohen, ndihesh i zbrazur dhe pa fuqi. Por kjo ndikon edhe në drejtim të kundërt: pranë dikujt të qetë dhe të sigurt, frymëmarrja bëhet më e thellë, mendimet qartësohen dhe e ndien veten më të lehtësuar. Njerëzit me energji pozitive nuk bëjnë asgjë të veçantë, thjesht ti kap ritmin e tyre.
Rrethi yt shoqëror të formëson më shumë se çdo libër
Ja pse rrethimi me njerëzit e duhur është thelbësor. Mund të njohësh çdo teori suksesi, por nëse je vazhdimisht mes atyre që ankohen dhe presin më të keqen, edhe ti, pa e kuptuar, do të fillosh të mendosh si ata. Ndërsa pranë atyre që besojnë dhe veprojnë, energjia jote rritet dhe tërheq përpara.
Energjia e njerëzve funksionon si sinjali i Wi-Fi, lidhemi automatikisht, pa e vënë re. Shkëmbimet ndodhin në heshtje, përmes emocioneve. Pyetja është e thjeshtë, por themelore: a je lidhur me një rrjet që të mbush me dritë, apo me një që të shteron? Sepse në fund, zgjedhja e “rrjetit” është zgjedhja e jetës.