Rivaliteti i përjetshëm: Rolando shënon golin e 950-të një ditë pasi Messi i theu një rekord

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.10.2025, 00:23

Cristiano Ronaldo ka hyrë sërish në histori, duke u bërë futbollisti i parë që arrin shifrën e pabesueshme prej 950 golash në karrierë. Ylli portugez realizoi në minutën e 88-të të ndeshjes që Al Nassr fitoi ndaj Al Hazm, në kuadër të Ligës Profesionale të Arabisë Saudite, të zhvilluar të shtunën në Buraidah. Me këtë gol, Ronaldo dyfishoi avantazhin e ekipit të tij dhe shënoi golin e gjashtë në kampionat, të shtatin në total për këtë sezon.

Ky moment historik erdhi vetëm një ditë pasi rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi, theu një tjetër rekord duke arritur 891 gola në karrierë, më shpejt se çdo futbollist tjetër në histori. Argjentinasi shënoi dy herë në fitoren 3-1 të Inter Miami ndaj Nashville në Major League Soccer.

Në moshën 38 vjeç e 122 ditë, kampioni i botës e kaloi Ronaldon si lojtari më i ri që arrin kuotën e 890 golave në karrierë, ndërsa portugezi e kishte arritur këtë shifër në moshën 39 vjeç e 89 ditë. Messi gjithashtu e ka arritur këtë rekord në më pak ndeshje (1131), krahasuar me 1220 takime të Ronaldos.

Edhe pse rivaliteti mes tyre nuk zhvillohet më në futbollin evropian, magjia e dy legjendave të futbollit modern vazhdon të frymëzojë miliona tifozë në mbarë botën. Sot, Messi është 38 vjeç dhe Ronaldo 40, por të dy vazhdojnë të thyejnë rekorde dhe të sfidojnë kohën.

Së fundmi, Messi ka zgjatur kontratën e tij me Inter Miami deri në vitin 2028, ndërsa Ronaldo ka rinovuar me Al Nassr deri në 2027, duke e bërë të qartë se pensionimi i tyre nuk është afër.

Statistikat e golave të Ronaldos deri më tani:

• Sporting CP – 5 • Manchester United – 145 • Real Madrid – 450 • Juventus – 101 • Al Nassr – 106 • Portugalia – 143

Top 5 golashënuesit më të mirë në histori:

• Cristiano Ronaldo – 950 gola • Lionel Messi – 891 gola • Pelé – 762 gola • Romário – 756 gola • Ferenc Puskás – 725 gola

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit