Naftëtarët e kompanisë Bankers Petroleum në Marinzë ndodhen tashmë në ditën e 13-të të grevës së urisë, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet ndjeshëm.
Sipas raportimeve të fundit, dy prej grevistëve, Eduart Mita dhe Bledar Dano, kanë shfaqur probleme shëndetësore duke marrë ndihmën e parë dhe trajtim me injeksione, pranë Zyrave të Sektorit Hidrokarbur në Marinzë.
Gjatë javës, dy grevistë të tjerë janë tërhequr nga protesta për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre, duke reduktuar numrin e punonjësve që vazhdojnë grevën në tetë.
Naftëtarët kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, të cilat përfshijnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.