Një tender i Bashkisë Kamëz, nën drejtimin e Rakip Sulit, ka ngritur dyshime të forta për abuzim me fondet publike. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “blerje kancelarie”, me fond limit 7,416,667 lekë të reja pa TVSH, ose afro 89 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Fitues është shpallur kompania “Marketing & Distribution”, në pronësi të Vilma Nushit, Niki Gleoudit dhe Dorothea Gleoudit, me ofertë 7,300,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 88 milionë lekë të vjetra me TVSH. Pra vlera fituese rezulton të jetë 98.4% e fondit limit. Një vlerë pothuaj identike me maksimumin e lejuar, që në praktikë tregon mungesë gare reale.
Sipas dokumenteve, në tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, por Bashkia Kamëz ka shpallur fituese ofertën më të lartë, duke lënë jashtë kompaninë tjetër që kishte ofruar rreth 23 milionë lekë të vjetra më pak.

Ky veprim ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si menaxhohen paratë publike, sidomos kur bëhet fjalë për blerje të thjeshta kancelarie. Diferenca prej 23 milionë lekësh të vjetra është shumë e madhe për artikuj zyre dhe përbën një dëm të pastër për buxhetin e qytetarëve.

Kjo situatë përforcon bindjen se tenderat publikë në shumë bashki po kthehen në procedura të paracaktuara, ku gara është vetëm në letër dhe fituesit njihen paraprakisht. Në rastin e Kamzës, ku përdorimi i fondeve publike ka qenë shpesh objekt debati, ky tender për “kancelari” ngjan më shumë me një formular justifikimi për të mbuluar një vjedhje të qartë për të gjithë.