Mesa duket, "virusi" i Inteligjencës Artificiale (AI) që ka infektuar Kryeministrin Edi Rama ka bërë metafazë dhe ka arritur deri në strofkën e shenjtë të demokracisë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas predikimeve të Ramës se si AI do ta shpëtojë administratën publike (duke zëvendësuar ndoshta punonjësit aktualë me chatbot-a më efikasë), tashmë edhe kryetari i këtij institucioni, Ilirjan Celibashi, i është bashkuar me entuziazëm kësaj furie "teknologjike".
Në një intervistë për mediat, ku foli për zgjedhjet e ardhshme të 9 nëntorit në pesë bashki, Celibashi na siguroi se "gjithçka është gati". Natyrisht, votimi elektronik do të vazhdojë aty ku ishte planifikuar, sepse, në fund të fundit, nuk ka zgjedhje pa një eksperiment teknologjik që na mban me zemër.
Por kulmi i gjenialitetit vjen tani: KQZ ka vendosur të bëjë një "eksperiment" me Inteligjencën Artificiale për numërimin e fletëve të votimit!
Po, e dëgjuat mirë. Duket se njerëzit, me të metat dhe paaftësitë e tyre, nuk mund ta përballojnë më barrën e madhe të numërimit të thjeshtë të votave në Shqipëri. Tani do t'i dorëzohemi shpresës më të fundit: një algoritmi.
AI-ja, e parë nga Rama si shpëtimtarja kozmike e administratës publike (ndoshta dhe e karriges së tij), po shpërhapet si epidemi. Këtë herë, ky "eksperiment" madhështor do të provojë diçka thelbësore: sa e zgjuar është realisht Inteligjenca Artificiale kur vihet përballë sfidës më delikate kombëtare, numërimit të votave shqiptare.
Pritet që robotët të jenë më të paanshëm se komisionerët. Ose ndoshta thjesht më bindës. Megjithatë, siç e dimë mirë: AI-ja është aq e paanshme sa dora që e programon. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë një revolucion teknologjik apo thjesht një justifikim i ri për ndonjë "gabim teknik" të qëllimshëm.
Numërim të mbarë!