Një ngjarje e rëndë ka tronditur një qytet të vogël në Rusi, ku një foshnjë disa muajshe ka humbur jetën pasi ra nga ballkoni i banesës. Sipas mediave vendase, dyshohet se e motra e tij, vetëm 5 vjeç, ka hapur dritaren dhe e ka hedhur të voglin në zbrazëti, në një moment kur prindërit po flinin në dhomën ngjitur.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur vajza është zgjuar para prindërve. Ajo ka hyrë në dhomën ku ndodhej foshnja dhe, për arsye ende të paqarta, e ka marrë në krahë dhe e ka hedhur nga dritarja e katit të dytë. Foshnja ka pësuar lëndime të rënda dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.
Autoritetet lokale kanë nisur menjëherë hetimet për të sqaruar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë nga ana e prindërve. Aktualisht, prokuroria po zhvillon një hetim njohës për të kuptuar nëse incidenti ka qenë plotësisht i paqëllimshëm dhe për të vlerësuar kushtet e sigurisë në banesë.
Një grup psikologësh është vënë në dispozicion për të ndihmuar vajzën 5-vjeçare, e cila raportohet se është thellësisht e tronditur.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe dhimbje të madhe në komunitetin lokal, ku fqinjët dhe të afërmit e familjes kanë shprehur keqardhjen e tyre për tragjedinë “absurde”. Rasti ka rihapur debatin në Rusi mbi sigurinë në shtëpi dhe mbikëqyrjen e fëmijëve të mitur, pas disa episodeve të ngjashme të ndodhura vitet e fundit në vende të ndryshme të Europës.